Hapja e konkursit për rekrutime të reja për zjarrfikësit në disa komuna të vendit nuk po i përmbush kërkesat e mëdha të tyre, transmeton Gazeta Sinjali.
Konkursi i hapur këtë të mërkurë nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk përfshinë Komunën e Prishtinës, duke i bërë këta të fundit të ndihen të diskriminuar.
Sipas komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Latif Zeka, zjarrfikës ka jashtëzakonisht pak.
“Zjarrfikës jemi jashtëzakonisht pak, dihet ma moti kemi qenë 136 zjarrfikës, tash kemi mbete 92 zjarrfikës, mosha mesatare është 49 vjeç. Kjo është një problem shumë i madh”, ka thënë ai për Klan Kosovën.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, tha që ky problem është në gjithë vendin derisa shtoi se kanë nevojë edhe për 400 pjesëtarë të rinj.
“Në 1500 banorë 1 zjarrfikës, në Evropë është në 1000 banorë një zjarrfikës. Kosovës i mungojnë së paku minimum edhe 400 zjarrfikës”, ka thënë ai.
Beka këto telashe po pret që të zgjidhen nga qeveria, ose në të kundërtën paralajmëroi protesta pasi të qetësohet situata në terren.