image Zhdukja e mostrave të Deharit, zv.drejtori i IML-së: Vetëm policia për momentin ka qasje në videot e laboratorëve

Drejtësi

Zhdukja e mostrave të Deharit, zv.drejtori i IML-së: Vetëm policia për momentin ka qasje në videot e laboratorëve

news image

Katër punëtorët e suspenduar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për shkak të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, raportohet se janë kthyer në punë, në bazë të një vendimi të Komisionit brenda Institutit.

Ditor Haliti, zv.drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, tha se katër punëtorët e suspenduar me vendim të komisionit disiplinor me 8 dhjetor të vitit 2022, janë rikthyer në punë.

Në pyetjen rreth akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari, Haliti tha se nuk kanë pasur qasje në ato video, sepse janë marrë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Haliti tha në RTK se policia është duke i shqyrtuar ato, derisa tha se nuk ka asnjë informatë nëse ka ndonjë regjistrim apo ndonjë fakt rreth asaj se kush i ka marr këto mostra.

“Ne i kemi kamerat të cilat e survejojnë hapësirat e IML-së duke përfshirë edhe ato të laboratorit, ato incizohen në serverët tanë të cilët janë marrë nga policia, dhe ne nuk i kemi parë, vetëm policia për momentin ka qasje në ato video dhe vetëm ata mund të thonë nëse ka diçka konkrete lidhur me këtë apo jo”, tha Haliti.

/GazetaSinjali/