Shtetet e ndryshme gjithandej në botë janë duke liruar ndalesat dhe duke hapur rrugët për personat e vaksinuar, shkruan CNN.
Bashkimi Evropian javën e fundit u pajtua që të lejojë hyrjen e personave të vaksinuar që vijnë nga vendet me normë të ulët të infektimit.
Spanja nga data 7 qershor do të hapet për udhëtarët e vaksinuar që nuk vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa të njejtën pritet ta bëjë edhe Franca me 9 qershor.
Holanda është duke mirëpritur turistët nga “ vendet e sigurta me rrezikshmëri të ulët,” ndërsa Greqia është duke lejuar turistët e vaksinuar dhe ata që paraqesin një test COVID-19 PCR me rezultat negativ jo më të vjetër se 72 orë para udhëtimit.
Në Evropë janë rritur shqetësimet për prezencën e variantit indian të Covid-19 në Britani dhe si rezultat Austria ka ndaluar fluturimet direkte për në Britani prej 1 deri me 20 qershor të këtij viti, derisa Gjermania është duke lejuar hyrjen nga Britania vetëm për qytetarët gjerman, vendasit dhe disa raste tjera.
Franca gjithashtu ka ndaluar udhëtimet jo esenciale nga Britania duke filluar nga data 31 maj duke urdhëruar vizitorët që të karantinohen për një javë.
Disneyland dhe parku “California Adventure” do të fillojë të mirëpres vizitorë që nga data 15 qershor, derisa Kulla Eifel në Paris do të hapet për vizitorët nga data 16 korrik, por numri i vizitorëve që do të lejohen në ditë do të jetë i limituar, 10 mijë persona në ditë. /Gazeta Sinjali/