image Zgjidhet kryeministri i ri i Maltës pas krizës për vrasjen e gazetares

Botë

Botë/ Zgjidhet kryeministri i ri i Maltës pas krizës për vrasjen e gazetares

news image

Partia drejtuese e Maltës ka zgjedhur një drejtues dhe kryeministër të ri për të zëvendësuar Joseph Muscat, i cili dha dorëheqjen pas hetimeve për vrasjen e gazetares Galizia.

Robert Abela do të zëvendësojë Joseph Muscat i cili u detyrua të shpallë dorëheqjen e tij pas protestave masive në dhjetor për  vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia.

Abela, i cili shihet si përfaqësues i vazhdimësisë, u zgjodh drejtues i Partisë Laburiste.Kjo do të thotë se ai merr automatikisht rolin e kryeministrit.

Robert Abela fitoi zgjedhjet e partisë, duke marrë 57.9% të votave. Përballë kishte Chris Fearne, një kirurg 56-vjeçar.

Robert Abela- djali i ish-Presidentit të Maltës George Abela – do të betohet të hënën.

Pas fitores, avokati 42-vjeçar, i bëri thirrje partisë së tij të “punojnë së bashku për unitet”. Ndërkohë gjatë fushatës ai shmangu kritikat ndaj Muscat.

Grupet aktiviste janë skeptikë mbi pasardhësin e Muscat. Ata nuk besojnë se ai do të mund të sjellë një ndryshim të vërtetë në Maltë, vend që sipas tyre është marrë në kontroll nga “kriminelët”.

E përshkruar si një ‘një grua WikiLeaks’, Caruana Galizia ekspozoi korrupsionin në nivelet më të larta. Ajo u vra nga një makinë bombë në 16 tetor 2017.

Galizia udhëhoqi investigimin dhe publikimin e skandalit “Panama Papers” dhe kabllogrameve të qeverisë malteze.