Mediat e huaja po raportojnë për procesin zgjedhor në Kosovë, duke përmendur obligimet e qeverisë së ardhshme me theks të veçantë dialogun me Serbinë.
Reuters raporton se negociatat me Beogradin u ndërprenë një vit më parë, pas vendosjes së tarifës për mallrat serbe.
Reuters citon Arton Demhasaj nga Qendra Kërkimore Koha në Prishtinë, të ketë deklaruar se detyra e parë e qeverisë së re do të jetë rifillimi i negociatave me Beogradin.
“Qeveria te ardhshme do të jetë qeveri e dialogut, dhe vetëm kur të mbarojë dialogu, ne do të duhet të adresojmë çështje reale siç janë korrupsioni, arsimi dhe ekonomia,” tha Demhasaj për Reuters.
Agjencia e lajmeve amerikane AP vlerëson se temat kryesore në këto zgjedhje përfshijnë rinovimin e dialogut me Beogradin, por edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe uljen e papunësisë së lartë, e cila është më shumë se 25 për qind.
AP kujton se zgjedhjet, e katërta që nga shpallja e pavarësisë në 2008, janë thirrur që kur kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqjen në korrik, kur ai u ftua nga Specialja.
AP vlerëson se asnjë parti politike nuk ka të ngjarë të fitojë shumicën, dhe tashmë është vërtetuar se është e vështirë për të formuar një qeveri koalicioni.
Agjencia italiane ANSA thotë se rezultati i zgjedhjeve konsiderohet thelbësore për të vazhduar dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.
Ndërsa, Euronews raporton se temat që mbizotërojnë zgjedhjet e Kosovës përfshijnë luftimin e gjerë të korrupsionit, papunësinë dhe përkeqësimin e marrëdhënieve me Beogradin./Gazeta Sinjali/