Pas zgjedhjes së mbështetëses së Lëvizjes Vetëvendosje, Luljeta Aliut anëtare e Këshillit të Pavarur të Mediave, kanë vazhduar reagimet e organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias.
Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit, me seli në Gjermani, ka paralajmëruar se do ta informojë Këshillin e Evropës për këtë zhvillim, që për ta, është shqetësues.
Sot në Kuvendin e Kosovës, Luljeta Aliu është zgjedhur anëtare e KPM-së. Ajo njihet për qëndrimet e saj publike në përkrahje të LV-së dhe Kryeministrit Kurti.
Para zgjedhjes së Aliut, Federata Evropiane e Gazetarëve kishte kërkuar që të mos zgjidhen përkrahësit e partisë në pushtet dhe i ishin bërë thirrje kreut të LV-së që të ndalë politizimin e KPM-së.
Sot pas zgjedhjes, ka reaguar e shqetësuar edhe ECPMF-ja.
“Jemi shumë të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga vendimi i Kuvendit të Kosovës, i kontrolluar nga Lëvizja Vetëvendosje, për të zgjedhur Luljeta Aliun anëtare të Komisionit të Pavarur të Mediave. Aliu zëshëm, rregullisht dhe publikisht e ka përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikat e saj. Në asnjë mënyrë, ajo nuk mund të konsiderohet e pavarur”, thuhet në njoftimin e ECPMF-së.
“Na vjen keq të shohim këtë zhvillim, që shkon në të kundërtën me procesin e depolitizimit të KPM-së, që VV-ja e ka nisur. Kjo zgjedhje është një hap i madh drejt rikapjes politike, në mënyrë të njëjtë siç është bërë më parë”, thuhet tutje në reagimin e ECPMF-së.
Në njoftimin e kësaj organizate thuhet se për zhvillimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës do ta informojë Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare të KiE, pasi kjo ndikon në pavarësinë e KPM-së,
“Në dritën e aplikimit për anëtarësim të Kosovës, ne do të fillojmë menjëherë shkëmbimin me Këshillin e Evropës dhe PACE për t’i informuar ata rreth këtij zhvillimi shqetësues që do të ketë një ndikim të madh në pavarësinë e KPM-së”, thuhet aty.