Mbrëmë u mbajt Kuvendi i XI-të Zgjedhor i Forumit të Rinisë të LDK-së, me ç’rast me votë unanime të delegatëve, kryetar i FRLDK-së u zgjodh Paris Guri.
Sipas një komunikate për media të LDK-së, thuhet se Paris Guri është një studiues post-universitar i shkencave politike e integrimeve evropiane. Ai është një bursist i dalluar e aktivist i të drejtave të njeriut. LDK beson te vlerat e të rinjve e të rejave të vendit tonë. LDK beson fuqishëm se Parisi do të prijë përgjegjshëm e me plot përkushtim në rolin e ri.
“LDK është me fat që shumë të rinj e të reja janë pjesë e saj aktive në angazhimin politik, si dhe shumë të tjerë që për çdo ditë po i bashkohen këtij rrugëtimi të domosdoshëm për të mirën e vendit. Po ashtu, LDK garanton hapësirën e duhur vendimmarrëse për të rinjtë e të rejat të cilëve u takon e sotmja dhe e nesërmja”, thuhet në njoftim.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u zotua se do të jetë krah i fuqishëm i të rinjve e të rejave në rrugëtimin e përbashkët në të gjitha proceset, dhe se roli i rinisë është vendimtar për ta dhe mbarë vendin tonë.
Ndërkaq, kryetari i ri i FRLDK-së, Paris Guri, në fjalën e tij, tha se ne e meritojmë që ëndrrat tona t’i realizojmë në atdheun tonë.
“Ne do të qëndrojmë bashkë, ngase vetëm bashkë arrijmë që potencialin e përbashkët ta koncentrojmë në Republikën tonë. Jam i bindur se do t’ia dalim; krah për krah me ne në këtë mision të përbashkët e fisnik është edhe i pari jonë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku”, nënvizoi Guri.
LDK, shpreh vlerësimin e lartë për kryetarin e deritanishëm të FRLDK-së, Fidan Rekaliut dhe strukturave të kaluara, për punën e tyre përkushtuese ndaj të rinjve e të rejave të LDK-së dhe Kosovës.