Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka akuzuar qeverinë se është munduar ta fshehë tollovinë që kishte ndodhur sot në sallën “1 Tetori” nga qytetarët që prisnin për vaksina.
“Sot nga papërgjegjësia totale dhe nga neglizhenca e paparashikueshme qeverisja nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka rrezikuar qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj në konferencë për media.
Zemaj akuzoi qeverinë se e ka sjellë një situatë të tillë duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e personave në pritje për t’u vaksinuar, dhe se qeveria nuk e ka prioritet shëndetin.
“Kur e kemi thënë që jemi të dëshpëruar me situatën e krijuar është dukur që po flasim në aspektin politik, por çdo ditë është treguese që këta njerëz nuk e kanë prioritet menaxhimin në Republikën e Kosovës”.
Ai akuzoi Vetëvendosjen se shumicën e kohës është marrë me situata politike e tash edhe me situatën në Lindjen e Mesme, dhe se i ka mashtruar qytetarët.
“Asnjë e mirë në procesin e vaksinimit nuk ka ndodhur deri më tani. Me transparencë zero”.
Madje Zemaj akuzoi qeverinë se u mundua që ta aktivizojë policinë në mënyrë që të mos lejoheshin marrjet e pamjeve nga ajo që kishte ndodhur sot.
“Kjo mënyrë e sjelljes së pushtetit është çnjerëzore. Kjo kërkon përgjegjësi morale dhe politike. Bëjmë thirrje që qeveria urgjentisht ta marrë situatën në dorë”.
Zemaj madje pohoi se QKMF-të i janë adresuar atij se nuk kanë vaksina teksa u bëri thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që të intervenojnë lidhur me atë që ai e quajti rikthim të situatës në kontroll.
“Ftoj organet hetimore t’i trajtojnë këto situata me seriozitet”, vijoi ai. /Gazeta Sinjali/