Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve ka vetëm një këtë epilog e që sipas tij është mosrespektim i theksuar i djersës së punëtorit, mos vlerësim të punës së tyre, kushte më të vështira e pa dëgjueshmëri totale qeveritare ndaj zërit dhe të drejtave të tyre.
Zemaj ka shkruar se Qeveria aktuale po u pamundëson edhe garën e drejtë për punësime e lëre më kushtet e punës; në konkursin e KEK-ut aplikuan 4668 persona, ndërsa u pranuan 128 prej tyre, dhe që të gjithë familjarë të zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje dhe militantë e të afërm të pushtetit.
Ai thotë se Qeveria Kurti me veprimin dhe mosveprimin e saj po i inkurajon qytetarët që ta lëshojnë vendin.
Postimi i tij:
Urime 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve!
Djersa e punëtorit duhet respektuar e nderuar, kushtet e tyre të punës duhet plotësuar, ndryshe, shenjtëria e kësaj djerse të ndëshkon.
1 Maj 2022 ka këtë epilog: mosrespektim të theksuar të djersës së punëtorit, mosvlerësim të punës së tyre, kushte më të vështira e padëgjueshmëri totale qeveritare ndaj zërit dhe të drejtave të tyre.
Kjo Qeveri po u pamundëson edhe garën e drejtë për punësime e lëre më kushtet e punës; në konkursin e KEK-ut aplikuan 4668 persona, ndërsa u pranuan 128 prej tyre, dhe që të gjithë familjarë të zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje dhe militantë e të afërm të pushtetit.
Ishte kjo Qeveri që i kishte larguar nga puna më shumë se 575 profesionistë shëndetësor, të cilët ishin në luftë të përhershme me COVID-19.
Është kjo Qeveri e cila ende nuk e ka miratuar Ligjin e Pagave, ndërsa rritjen e pagës minimale e ka rritur deri në nivel lëmoshe.
Është kjo Qeveri që me veprimin dhe mosveprimin e saj po i inkurajon qytetarët që ta lëshojnë vendin.
Është paaftësia qeverisëse ajo që po i thellon krizat, përkatësisht atë të rritjes së çmimeve të produkteve. Aty ku nuk ka krizë po e krijon një të tillë, ndërsa çmimin padyshim që e paguajnë të gjithë, me theks të veçantë ata që janë në marrëdhënie pune si dhe ata që synojnë të gjejnë një vend pune.
Në paaftësinë qeverisëse vend qendror zë padëgjueshmëria!