image Zemaj bën fushatë të dielën në Infektivë - Apelon për respektimin e masave, derisa vetë përqafon stafin mjekësor

Shëndetësi

Zemaj bën fushatë të dielën në Infektivë – Apelon për respektimin e masave, derisa vetë përqafon stafin mjekësor

news image

Në kohën kur edhe deputetët e partive në pushtet po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve, ministrat e kryetarët e Komunave nuk po lejojnë të kalojë asnjë ditë pa e shfrytëzuar për fushatë, shkruan Gazeta Sinjali.

Të dielën e shfrytëzoi edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ndonëse ditë pushimi, Zemaj ka publikuar fotografi nga Klinika Infektive në QKUK, aty ku po trajtohen pacientët e prekur me koronavirus.

Duke i përqafuar, Zemaj i ka siguruar mjekët dhe infermierët e kësaj klinike, se po bëjnë të pamundurën që të infektuarve të mos u mungojë asgjë.

“24 orë në ditë, 7 ditë të javës, tash e nëntë muaj, Klinika Infektive është epiqendra e pacientëve të infektuar me Covid 19. Ekipi i mjekëve dhe personeli shëndetësor, me drejtoreshën, Dr. Lindita Ajvazi Berisha në krye, edhe pse me numrin e madh të pacientëve, asnjëherë nuk u dorëzuan.

Stafin dhe punonjësit e Klinikës Infektive i falënderoj dhe siguroj që po bëjmë të pamundurën që të infektuarve të hospitalizuar me Covid 19, mos t’i mungojë asgjë”, ka shkruar ndër të tjera Zemaj në Facebook.

Megjithëse ka thënë se “duke i respektuar masat anti-COVID, do të arrijmë sukses”, i pari i Shëndetësisë ka publikuar fotografi duke i shkelur këto masa.

Në njërën nga fotografitë, ai shihet duke e përqafuar dikë nga stafi mjekësor i kësaj klinike dhe në asnjërën nga fotografitë nuk shihet se është respektuar distanca prej 1.5 metra.

“Të gjithë, në një vijë të përbashkët, dje ,sonte e nesër, duke i respektuar të gjitha masat dhe vendimet, arrijmë sukses. Ruaje veten nga virusi, ashtu e ruan familjen dhe shtetin”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/