Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar popullit të tij që të vazhdojë të tregojë rezistencë përballë sulmeve ruse ndërsa vendi festonte Krishtlindjet.
Në fjalimin e tij me rastin e Krishtlindjeve, Zelensky tha: “Liria ka një çmim të lartë. Por skllavëria ka një çmim edhe më të lartë.”
Sulmet me raketa dhe dron të Rusisë kanë lënë miliona ukrainas pa energji, ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm.
Më herët të shtunën, sulmet ajrore ruse vranë 10 persona në qytetin jugor Kherson të Ukrainës, thanë zyrtarët.
Autoritetet rajonale thanë se 68 persona të tjerë u plagosën, ndërsa u bënë thirrje banorëve vendas që të dhurojnë urgjentisht gjak, shkruan BBC.
Duke e përshkruar Rusinë si një “vend terrorist”, Zelensky akuzoi trupat ruse për “vrasje”.
“Ne duruam në fillim të luftës. Ne duruam sulme, kërcënime, shantazh bërthamor, terror, sulme me raketa. Le të durojmë këtë dimër sepse ne e dimë se për çfarë po luftojmë. Ne do të festojmë festat tona! Si gjithmonë. Do të buzëqeshim dhe do të jemi të lumtur. Si gjithmonë. Ndryshimi është një. Nuk do të presim për një mrekulli. Në fund të fundit, ne e krijojmë vetë.”