Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski i ka akorduar kryeministrit shqiptar Edi Rama, urdhrin e “Princit Jaroslav i Urti, shkalla e parë”.
Në motivacionin e shpallur nga zyra e Presidencës së Ukrainës thuhet se ky nderim bëhet për kontributin e rëndësishëm personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit ukrainas në botë.
I njëjti nderim si për Ramën është dhënë edhe për kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchz si dhe kryeministrin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, princin e kurorës, Muhamad bin Salman.
Që prej nisjes së konfliktit në Ukrainë në Shkurt të 2022, Shqipëria është rreshtuar në mbështetje të luftës së saj mbrojtëse nga agresioni rus.
Tirana zyrtare mbështeti sanksionet e Perëndimit ndaj Moskës ndërsa gjatë mandatit 2-vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria u rreshtua në krah të Kievit.
Në shtator të këtij viti Shqipëria organizoi edhe një seancë të posaçme për Ukrainën ku u ftua të flasë edhe Presidenti Zelensky pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë.
Ndërsa në Qershor të vitit 2022, Shqipëria akordoi 1 milion Euro në ndihmë të rindërtimit të Ukrainës. /Tvklan