Presidenti Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Perëndimit që të ketë “një për qind” të guximit të shfaqur nga ushtarët ukrainas që luftojnë sulmet e vazhdueshme ruse, ndërsa ai kërkoi më shumë tanke, aeroplanë dhe raketa për të shmangur trupat e Vladimir Putinit.
Një Zelensky dukshëm i zemëruar kërkoi që shtetet perëndimore të dorëzonin pajisje ushtarake që po ‘mblidhnin pluhur’ në stoqe, duke thënë se Ukrainës i nevojitej vetëm një për qind e avionëve të NATO-s dhe një për qind e tankeve të saj.
Udhëheqësit e NATO-s deri më tani i kanë dhënë Ukrainës raketa antitank dhe kundërajror, si dhe armë të vogla dhe pajisje mbrojtëse, por nuk i kanë ofruar asnjë mjet të blinduar apo avion të rëndë.
Zelensky akuzoi Perëndimin për frenim të furnizimeve për shkak të ‘frikësimit’ nga Moska dhe sugjeroi se Rusia është në krye të NATO-s.
Udhëheqësi përshëndeti trupat e tij që luftonin në Mariupol, qytetin port të rrethuar që ka pësuar disa nga tmerret më të mëdha të luftës, përpara se t’i bënte thirrje Perëndimit që të kishte ‘një për qind’ të guximit të ushtarëve të tij dhe t’i siguronte Ukrainës armaturë të fortë.
“Kam biseduar me mbrojtësit e Mariupolit sot. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me ta. Vendosmëria, heroizmi dhe qëndrueshmëria e tyre janë të habitshme”, tha Zelensky në një fjalim herët të dielën.
Ndihma ushtarake perëndimore deri më tani nuk ka përfshirë avionë luftarakë. Një propozim për transferimin e avionëve polakë në Ukrainë nëpërmjet SHBA-së u anulua për shkak të shqetësimeve të NATO-s për futjen në konflikt me Rusinë.
Në një fjalim natën vonë të shtunën, Zelensky tha: “Ne kemi nevojë për më shumë municion. Ne kemi pritur tashmë 31 ditë. Çfarë po bën NATO? Kush është në krye të komunitetit euroatlantik? A është vërtet ende Moska, për shkak të frikësimit? Ne kërkojmë një për qind të asaj që ka NATO, asgjë më shumë.”
Breshëritë e vazhdueshme të artilerisë dhe bombardimet ajrore të Rusisë po i bëjnë qytetet ukrainase në gërmadha, duke vrarë mijëra njerëz dhe duke detyruar miliona të largohen nga shtëpitë e tyre.
Por pushtimi rus i Ukrainës, tashmë në ditën e tij të 32-të, ka ngecur në shumë zona, duke u lëkundur përballë rezistencës ukrainase.