Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ftoi pasditen e sotme Perëndimin të mos ‘shantazhohet’ nga deklaratat e Vladimir Putinit.
Më herët gjatë ditës, Putin konfirmoi se Rusia do ‘të mobilizojë pjesërisht’ rezervistët dhe bëri komente të papërshtatshme për armët bërthamore.
Në përgjigje ndaj këtyre deklarateve, Zelensky tha për të përditshmen gjermane “Bild”, se nuk beson që Kremlini “do të përdorë armët bërthamore”.
“Nuk besoj se Putin do të përdorë këto armë. Nuk mendoj se bota do ta lejojë t’i përdorë këto armë”, tha ai, duke shtuar se është i sigurt se Ukraina do të ketë mundësi ta çlirojë territorin e saj.
Ukraina ka avancuar dukshëm në javët e fundit në verilindje me rikthimin e territorit që ka qenë më herët i pushtuar nga Rusia.
Presidenti ukrainas gjithashtu aludoi se Putin “dëshiron ta zhytë Ukrainën në gjak, përfshirë edhe në gjakun e ushtarëve të tij”.