Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të shtunën se çdo negociatë me Rusinë nuk mund të fillojë para se të arrihet një marrëveshje e armëpushimit ndërmjet forcave të Kievit dhe Moskës.
“Diplomatët tanë po punojnë dhe ata kanë biseduar për disa pika të agjendës së mundshme midis nesh dhe Federatës Ruse. Unë dua që kjo të materializohet dhe procesi i dhënies fund të luftës, procesi i paqes 100 për qind duhet të fillojë me armëpushim”, tha Zelensky gjatë një konference për gazetarë.
Por, lideri ukrainas tha se është i hapur për diskutime me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe shtoi se ai e ka diskutuar mundësinë që negociatat të mbahen në Jerusalem me kryeministrin izraelit, Naftali Bennett.
Duke iu referuar komenteve të Putinit për përparimin pozitiv që kanë bërë negociatorët rusë dhe ukrainas, Zelensky tha se “jam i lumtur të shoh sinjale nga Federata ruse. Për 12 vjetët e fundit, asnjëherë nuk kam dëgjuar deklarata për mundësi të dialogut”, tha ai.
Në këtë konferencë për media, presidenti ukrainas foli edhe humbjet në luftë. Ai tha se që prej nisjes së pushtimit rus, më 24 shkurt, afër 1,300 trupa ukrainase janë vrarë. Po ashtu, ai pretendoi se të premten afër 500-600 trupa ruse i janë dorëzuar ushtarëve ukrainas, shkruan REL.
Ukraina dhe Rusia kanë mbajtur tri runde të bisedimeve në Bjellorusi. Po ashtu, kryediplomatët e dy shteteve janë takuar më herët gjatë javës në Antali të Turqisë, por nuk ka pasur përparim sa i përket marrëveshjes për armëpushim dhe hapjen e korridoreve humanitare.
Rusia, më 24 shkurt, nisi një pushtim të paprovokuar të Ukrainës. Që atëherë, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës.