image Zëdhënësi i Qeverisë tregon se a do të shkarkohen ministrat e tjerë të LDK-së

Kosovë

Politikë/ Zëdhënësi i Qeverisë tregon se a do të shkarkohen ministrat e tjerë të LDK-së

news image

Qeveria Kurti u rrëzua dje nga një mocion i mosbesimit që u iniciua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku mori 82 vota pro.

Pas rrëzimit të Qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në orët e mesnatës shkarkoi zëvendëskryeministrin e parë, Avdullah Hotin.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë, se Kurti nuk a ka ndërmend t’i shkarkojë ministrat e LDK-së, derisa njoftoj se bashkëpunimi ka qenë i mirë ndërmjet tyre.

“Ka pasur një bashkëpunim të mirë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të ministrave. Ministrat kanë me vazhdua punën e tyre, kryeministri nuk ka ndërmend diçka të tillë”, tha Kryeziu.

Kryeziu bëri të ditur se ministrat do të vazhdojnë punën e tyre dhe luftimin e virusit korona do ta bëjnë së bashku, pasi siç tha ai kjo pandemi nuk ka motive politike.

“Edhe Kosova po përballet me sfida të koronavirusit, andaj presim angazhim të plotë të tyre. Kujtojmë që luftimi i virusit nuk ka motive politike, ta luftojmë së bashku”, u shpreh Kryeziu për EO.

Kurse, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë ditës ka shkruar se nuk do të tërheq ministrat e partisë që drejton, edhe pse Qeveria është rrëzuar të mërkurën mbrëma.

Ai tha se është në vullnetin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti t’i mbajë ose t’i lirojë nga detyra, siç bëri mbrëmë me zv.kryeministrin e parë, Avdullah Hoti.

“Në kohën kur po ballafaqohemi me Pandeminë e COVID-19, si Kryetar i LDK-së, nuk do t’i tërheq njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje. Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e Kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdoj të punoj me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjedhet qeveria tjetër, apo do të bëj veprime tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate!”, ka shkruar Mustafa.

Prishja e koalicionit mes VV-së e LDK-së erdhi pas një shkarkimi që Kurti  i bëri ministrit të Brendshëm, Agim Veliut./Gazeta Sinjali/