image Hoti bën thirrje për protestë në përkrahje të gazit amerikan: Refuzimi është orientim antiamerikan

Politikë

Hoti bën thirrje për protestë në përkrahje të gazit amerikan: Refuzimi është orientim antiamerikan

news image

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për protestë me kërkesën që Kosova të bëhet pjesë e projektit të gazit amerikan. Sipas tij, vendi rrezikon të mbetet i vetmi në Ballkanin Perëndimor që mbetet jashtë këtij projekti strategjik.

Hoti ka deklaruar se projekti po vazhdon të refuzohet nga qeveria në detyrë, pavarësisht insistimit të Administratës amerikane.

Ai ka kritikuar gjithashtu Lëvizjen Vetëvendosje, duke e cilësuar si anti-amerikane.

“Arsyet e dhëna nga Qeveria e Kosovës për refuzimin e projektit të gazit janë të natyrës ekonomike dhe plotësisht të pabaza. Është deklaruar se projekti përmban rreziqe dhe se duhen informata shtesë për të vlerësuar nëse është ekonomikisht i leverdishëm. Është deklaruar se strategjia e re energjetike e Kosovës, parasheh ripërtëritjen e kapaciteteve ekzistuese me qymyr dhe krijimin e kapaciteteve të reja nga burime të ripërtërishme. Dhe së fundmi, shfaqet papritur edhe interesimi i Qeverisë për idenë e shndërrimit të qymyrit në gaz sintetik”, ka shkruar ai.

Hoti ka shtuar se asnjëra nga këto arsye nuk bie ndesh me projektin e gazit amerikan dhe nuk e përjashton atë.

“Ky projekt është plotësisht komplementar me të gjitha projektet energjetike të parapara nga Kosova, duke i mundësuar Kosovës diversifikimin e burimeve energjisë dhe sigurinë e plotë të furnizimit të pandikuar nga importi. Kështu që, projekti i gazit jo që nuk mund të refuzohet mbi baza ekonomike, por i ka në favor të gjitha argumentet ekonomike”.

Sipas tij, nëse Kosova vazhdon të mbetet e varur nga qymyri, në të ardhmen do të detyrohet të paguajë tarifa për emetimin e karbonit, kosto që, sipas Hotit, do të barten te qytetarët dhe bizneset përmes faturave më të larta të energjisë.

“Unë bëj ftesë që odat ekonomike, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, qytetarët dhe të gjithë të interesuarit të bashkohen në protestë demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe ruajtjes së aleancës së pacenueshme të popullit të Kosovës me popullin amerikan”, shkroi në fund ish-kryeministri.

Së fundmi, është bërë thirrje që institucionet e Kosovës të veprojnë me shpejtësi për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, të cilat po konsiderohen të domosdoshme për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik.

Madje, odat ekonomike në Kosovë kanë paralajmëruar se refuzimi i gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook më 28 maj, theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të bashkëpunuar me Kosovën në avancimin e zgjidhjeve energjetike të sigurta dhe të diversifikuara, si dhe për të tërhequr investime të ardhshme”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/