Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka reaguar në rrjetin e tij në facebook, lidhur me bllokimin e sistemit të shitjes së biletave për ndeshjen Kosovë – Angli e cila pritet të zhvillohet të dielën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ai e ka cilësuar të qëllimshëm bllokimin e sajtit të shitjes, I cili menaxhohet nga kompania Tiks.app e cila është kontraktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.
“E qysh me marr bileta online kur bie prej sistemi sajti i shitjes së biletave për ndeshjen Kosovë – Angli???Tmerr bre kjo është, të dështuar me qëllim, dallavere fund e krye, MARRE!”, ka shkruar Ekrem Lutfiu, që njëherësh përfaqëson zërin e Prokurorisë për komunikim me medie.
Nuk dihet nëse komenti i Lutfiut është qëndrim zyrtar i Prokurorisë Speciale të Kosovës, por komentet e tilla konstatuese, qofshin ato edhe në cilësinë personale, nga një zyrtar që përfaqëson Prokurorinë Speciale të Shtetit, ndikojnë në pavarësinë e funksionimit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mund të interpretohen si qëndrime zyrtare të këtij mekanizmi të lartë të drejtësisë. /Gazeta Sinjali/