Ngjan gati me një skenar filmi i denjë për çmim “Oskar” i gjithë aktiviteti i atij që njihet si “Escobar” i Evropës, e që në fakt ka në dosjen e tij një numër të madh rastesh të trafikut të drogës, nga e cila ka xhiruar jo pak por plot 14 miliardë euro.
Dhe duket aq e pabesueshme, që ky trafikant ndërkombëtar të kapet në Shqipëri, në një vend të vogël kur thuajse shumica njeh shumicën e është pak e vështirë të “humbësh” gjurmë. Por, një ndër anëtarët e familjes kriminale turke “Baybasin” përfundoi në pranga.
Policia shqiptare bën të ditur konfidencialisht se i arrestuari kishte udhëtuar shumë herë nga Franca në Shqipëri, duke përdorur në disa raste linjat tranzit me Italinë e në raste të tjera, destinacion nga qenë Beogradi e më pas Tiranë.
Bëhet fjalë për një 53- vjeçar, të cilin autoritetet franceze e kishin në listën e personave më të kërkuar, por asnjëherë nuk kishin arritur ta vinin në pranga. I arrestuari kërkohej si një trafikant i familjes kriminale, që si drejtues të vetin kishte shtetasin Hysein Baybasin, i konsideruar disa vite më parë si “Eskobari i Europës”.
Faruk Baybasin rezulton i dënuar me 30 vite burg për çështje të trafikut të heroinës, ndërsa kërkohet nga Gjykata e Loire Atlantique, në Francë, që e ka shpallur fajtor si pjesëtar të organizatës kriminale që trafikonte heroinë në Europë.
Drejtësia franceze, përmes dokumenteve që ka përcjellë me urgjencë, kërkon dorëzimin e Baybasin me argumentin se përgjatë viteve 1994 -1995 ai ishte aktiv në trafikun e drogës edhe në Francë, si anëtar i një bande që vepronte jo vetëm në Turqi, por edhe në Francë.
Pas arrestimit, Faruk Baybasin ka dalë para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurimit të tij personal. Trupi gjykues, në funksion të kërkesës së Francës, ka vendosur “Arrest me burg” për 40 ditë për Faruk Baybasin, i cili tentoi të hynte në Shqipëri për t’u fshehur, por u zbulua nga autoritetet.
Ai ka pranuar që është djali i një tjetër trafikanti të dënuar, Mahmut Baybasin, i cili gjithashtu rezulton të jetë pjesë e familjes së narkotrafikut.
Madje, ky grup mori etiketimin “Eskobarët e Europës”, pasi kryesori i grupi, Hysein Baybasin, mori emrin “Eskobari i Europës”.
-Për aktivitetin e këtij grupi në atë kohë, mediat raportonin se Hyseyin Baybasin, Mehmet Emin Baybasin, Mehmet Serif Baybasin, Mehmet Sirin Baybasin, Mahmut Baybasin janë anëtarë të familjes që përfundoi në burg për drogë. Të ardhurat e grupit nga heroina janë vlerësuar në 10 miliardë paund, apo 14 miliardë euro.
Ndërkohë, autoritetet franceze, nëpërmjet letërporosisë, i kanë kërkuar shtetit shqiptar ekstradimin e të arrestuarit në Aeroportin e Rinasit, Faruk Baybasin. Ky i fundit, sipas burimeve, mësohet se është vënë në pranga pak ditë para Vitit të Ri. Faruk Baybasin po tentonte të hynte në Shqipëri me dokumente, vend ku edhe do të fshihej nga autoritetet franceze.
Ndërkohë, gjatë seancës së zhvilluar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, Faruk është shprehur se po vinte në Shqipëri për dëshirë dhe se nuk po i shmangej askujt. Sipas tij, akuzat e ngritura nga shteti i Francës nuk qëndrojnë.
Ai ka shtuar më tej se po vuan dënime vetëm se është pjesëtar i një familje që ka kryer vepra penale në trafikun e drogës.
“Mos pranoni të më ekstradoni. Unë nuk kam bërë asgjë në Francë. Po ndëshkohem vetëm se jam familjar i ‘Eskobarit të Europës’. Në Shqipëri po vija si turist dhe nuk i shmangesha askujt”, mësohet të jetë shprehur shtetasi turk në Gjykatën e Tiranës.
Kjo e fundit, në përfundim, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë personale me 40 ditë burg, deri në momentin që të kryhen veprimet e ekstradimit.