image Zbritje 'sa për sy e faqe'/ Viva Fresh kërkon nga klienti ta paguajë çmimin real e jo atë të zbritjes

Sinjalizime

Zbritje ‘sa për sy e faqe’/ Viva Fresh kërkon nga klienti ta paguajë çmimin real e jo atë të zbritjes

news image

Janë shpeshtuar rastet e mashtrimit dhe joshjes së klientëve nga biznese të ndryshme në Kosovë. Sinjali ka raportuar vazhdimisht për rastet kur produktet janë vënë në zbritje, mirëpo në arkë klientët e kanë paguar çmimin që ka qenë para zbritjes.

Një rast i ngjashëm i ka ndodhur edhe një personi tjetër, i cili në pasditen e djeshme ka blerë gjëra ushqimore e higjienike në Viva Fresh Store në Veternik.

Ndër to, ai ka blerë edhe një mikser, i cili ishte vendosur në zbritje nga marketi në fjalë. Ky mikser kushtonte 19,90 euro, mirëpo me 35 për qind zbritje, çmimi vinte në 12,90 euro.

Në arkën e Vivës, sinjalizuesi i tha Sinjalit se i është kërkuar të paguajë çmimin prej 19,90 euro, që i bie pa zbritje.

“Deshta të informoj përmes juve se qysh bajnë dallovere marketet tona me çmime nëpër rafte. Rasti më ka ndodhur dje me datën 19/03/2022 në marketin Viva Fresh Store në Veternik”, tha ai për Sinjalin.

Ai ka dërguar edhe fotografi të kuponit fiskal që i është lëshuar nga biznesi dhe të mikserit e ofertës të vendosur në raft.

Në fotografinë më poshtë shihet se oferta e zbritjes ka filluar më 5 janar të vitit 2021 dhe mbaron më 31 janar të vitit 2023.

Oferta

Në kuponin që sinjalizuesi e ka dërguar shihet se shkruan çmimi prej 19,90 euro, e jo ai me zbritje.

Kuponi fiskal

Për të mos lënë vend për dyshime, sinjalizuesi e ka dërguar edhe një fotografi, ku shihet mikseri. Aty vërehet kodi i produktit, i cili është i njëjtë me kodin e vendosur te oferta për zbritje dhe në kupon.

Sinjalizuesi i tha Sinjalit se në lidhje me këtë ‘dallaver’ është ankuar te menaxherja për t’ia kthyer 7 euro të diferencës, por deri në pranimin e parave ai ka thënë se ka pritur rreth 30 minuta.

“Po jemi ankuar te menaxherja. Më ka marrë afër 30 minuta kohë deri sa m’i ktheu 7 euro të diferencës. Dojke me ma marr faturën se më duhet për me raportuar për kthimin e mjeteve, por unë nuk pranova. I thashë mundesh me ba fotokopje përndryshe duhet m’i thirr policinë me raportuar për rast”, tha ai për Sinjalin.

Kujtojmë që më 10 mars të këtij viti, Policia e Kosovës ka gjetur 100 mijë litra vaj të fshehura në depon kryesore të Viva Fresh Store, të cilët e shitën litrin e vajit deri në 3,49 euro.

/GazetaSinjali/