image Zbardhet dosja, muxhahedinët në kampin e Durrësit dyshohet se kryen sulme kibernetike në drejtim të Iranit

Shqipëri

Zbardhet dosja, muxhahedinët në kampin e Durrësit dyshohet se kryen sulme kibernetike në drejtim të Iranit

news image

Muxhahedinët e strehuar në Shqipëri dyshohet të kenë kryer sulme kibernetike në disa periudha të ndryshme kohore kundër Iranit.

Kjo është arsyeja pse Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj këtij grupimi, referuar vendimit të gjykatës për miratimin e operacionit policor.

Ky veprim nëse konfirmohet përbën një thyerje të marrëveshjes që muxhahedinët kanë me shtetin shqiptar.

Referuar vendimit të gjykatës së posaçme, hetimi ka nisur pas referimit nga ana e policisë së shtetit në SPAK për 6 vepra penale, duke nisur nga ajo e “Provokimit të luftës” “Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorim i pajisjeve”, të gjitha këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve ka rezultuar se, anëtarët e kampit MEK, kanë kryer sulme kibernetike në disa institucione në shtetin e Iranian dhe për këtë është urdhëruar edhe kontrolli në ambientet e kampit në Manëz.

“Në kushtet ku ka dyshime të arsyeshme se organizata “MEK” nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore dhe drejt disa institucioneve të shtetit të Iranit. Duke qenë se statusi i qëndrimit të organizatës “MEK” në Shqipëri është humanitar, Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës “MEK”,” thuhet në dosje.

“Me qëllim gjetjen e serverëve apo pasjeve të tjera kompjuterike që mund të jenë përdorur për sulmet kibernetike nga territori i Republikës së Shqipërisë është e domosdoshme kryerja e kontrollit në vendqëndrimin e pjesëtarëve të organizatës “MEK”, në Durrës, Shqipëri.”

Më tej në vendimin e gjykatës thuhet se, nga hetimet e deritanishme dhe të dhënat e referuara nga ana e policisë gjyqësore rezulton se ka dyshime për faktin se pjesëtar të organizatës “MEK”, me vendqëndrim në Manëz, Durrës, janë të përfshirë në aktivitet kriminal të terrorizmit dhe financimit të terrorizmit.

/GazetaSinjali/