Një mjeke në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan është kërcënuar me jetë dhe me familje pasditën e djeshme gjatë orarit të punës.
Gazeta Sinjali merr vesh nga burime brenda Prokurorisë Themelore të Pejës se teksa po e kontrollonte një grua, mjekes i ka ndërhyrë bashkëshorti i pacientes, R.M duke e ofenduar e kërcënuar.
“Zagaricë, e poshtër, e pafytyrë”. Me këto fjalë 54-vjeçari i është drejtuar fillimisht mjekes 28-vjeçare, duke i kërkuar udhëzim për trajtim në Pejë. Më pas, siç merr vesh Gazeta Sinjali, ai ka eskaluar edhe më shumë, duke e kërcënuar me jetë atë dhe familjen e saj.
“Kam me ta marrë shpirtin edhe krejt anëtarët e familjes kam me t’i mbytë”, i është sulur edhe njëherë 54-vjeçari pa takt.
Pas kësaj, ai ka arritur ta marrë udhëzimin për Pejë dhe është larguar nga QKMF-ja e Deçanit bashkë me bashkëshorten.
Policia e ka intervistuar mjeken 28-vjeçare, ndërkaq R.M nuk është gjetur në shtëpinë e tij.
Për rastin kanë nisur hetimet dhe është informuar prokurori i rastit. /Gazeta Sinjali/