Talenti zviceran Johan Manzambi ka shkëlqyer në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Bosnjë e Hercegovinës, duke realizuar dy gola dhe duke hyrë në histori të Kupës së Botës.
Manzambi u inkuadrua nga banka rezervë në moshën 20 vjeç e 247 ditë dhe arriti të shënojë dy herë, duke u bërë lojtari më i ri që realizon dopietë si zëvendësues në një Kupë Bote.
Në minutën e 97-të, Zvicra fitoi një penallti dhe Manzambi iu afrua kapitenit Granit Xhaka. Pas një bisede të shkurtër mes tyre, Xhaka mori përgjegjësinë dhe e shndërroi penalltinë në gol, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-1.
Nëse do t’i jepej mundësia Manzambit për të ekzekutuar penalltinë dhe për të realizuar golin e tretë, ai do të hynte edhe në një tjetër rekord historik, si një nga golashënuesit më të rinj të një hat-trick-u në Kupën e Botës, pas legjendave si braziliani Pelé dhe gjermani Edmund Conen.
Pas ndeshjes, Granit Xhaka u komentua për vendimin e tij, duke theksuar se në ekip ekzistojnë rregulla dhe se penalltitë zakonisht i ekzekutojnë lojtarët me më shumë përvojë.
“Ne kemi rregulla në ekip. Ai është i ri, ka një të ardhme të ndritur përpara, por penalltitë duhet të ekzekutohen nga lojtarë me përvojë. Do të vijë koha e tij për t’i ekzekutuar ato”, ka thënë Xhaka.
Nga ana tjetër, Manzambi u shpreh i kënaqur me vendimin e kapitenit dhe fitoren e skuadrës.
“E pyeta nëse do të gjuante, ai tha se po. Ai shënoi, kështu që edhe unë jam i lumtur. Fitorja është shumë më e rëndësishme sesa të shënoj një tregolësh”, tha Manzambi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!