image Xhaferi nga foltorja e Kuvendit: Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë

Politikë

Xhaferi nga foltorja e Kuvendit: Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë

news image

Politikani shqiptar, Talat Xhaferi, i cili së shpejti pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, është duke e mbajtur fjalimin e tij në foltoren e Kuvendit si mandatar për formimin e Qeverisë.

Ai teksa foli në gjuhën shqipe tha se këtë mandat do ta pranojë me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë.

“Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, me shpresë se propozimi që keni sot para vetes do të jetë përbërja që do të përmbush përgjegjësitë ndaj qytetarëve tanë. Këtë propozim e bëj me marrëveshjen e partive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë mandatari Xhaferi.

“Edhe pse mund të quhet qeveri kalimtare që prioritet do ta ketë mbajtjen e zgjedhjeve, për mua si mandatar i kësaj qeverie nuk ka dallim nëse është fjala për 1 ose 100 ditë. Unë ketë detyrë dhe përgjegjësi të rëndësishme e kuptoj dhe do i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë të jetës sime politike dhe profesionale”, ka shtuar ai.

Ai i ka siguruar të gjithë qytetarët që në asnjë qast nuk do të lejojë që të devijohet roli i institutit profesional.

“Duke e marrë parasysh se kjo qeveri është propozim pas negociatave të partive politike, unë dhe qeveria obligohemi të vazhdojmë me zbatimin e plotë edhe të politikave të pranuara”, është shprehur Talat Xhaferi.

Me një orë e 15 minuta vonesë filloi seanca për zgjedhjen e Qeverisë teknike, mandatar i së cilës në pajtim me Marrëveshjen e Përzhinos është Talat Xhaferi.

Në seancën e sotme nuk po merr pjesë opozita shqiptare nën arsyetimin se nuk i lejohet ta ketë një anëtar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), derisa opozita maqedonase ndonëse do të jetë prezentë në Kuvend, nuk do të votoj për Qeverinë e re.

Menjëherë pas miratimit të rendit të ditës me të vetmen pikë: “Propozim për përbërje të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, mandatari po prezanton programin e qeverisë së re.

108 deputetë prezencë në sallë, 66 votuan për rendin e ditës.

/GazetaSinjali/