Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, sot është zgjedhur edhe kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Obiliq.
Lajmin e ka bërë të ditur LDK, ku njofton se Gashi ka marrë besimin e 101 delegatëve në Kuvendin e Jashtëzakonshëm.
“Sot, delegatët e Kuvendit të Degës së LDK-së në Obiliq, pas një procesi demokratik dhe transparent, e në prani të shumë qytetarëve të Obiliqit, zgjodhën me unanimitet të plotë për kryetar të Degës z. Xhafer Gashi, kryetarin aktual të komunës së Obiliqit”, thuhet në njoftimin e partisë.
Mes tjerash në njoftim thuhet se kuvendi i sotëm tregon fuqinë politike të LDK-së, tregon organizimin demokratik, zgjedhjen si mjet të vetëm vendimmarrës e kthimin e partisë tek anëtarësia e përbashkët.
Në të kaluarën Xhafer Gashi ishte pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kishte udhëhequr Iniciativën Qytetare për Obiliqin, që e themeloi ai pas daljes nga AAK-ja.
Ndërkohë, që më 24 shkurt të këtij viti Xhafer Gashi është bërë pjesë e LDK-së.