image Weber: Marrëveshja finale Kosovë - Serbi të jetë e detajuar, të mos lejohen hapësira për manipulime

Politikë

Weber: Marrëveshja finale Kosovë – Serbi të jetë e detajuar, të mos lejohen hapësira për manipulime

news image

Analisti gjerman në Këshillin për Demokratizim, Bodo Weber, ka thënë se marrëveshja finale eventuale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbajë një plan të detajuar që nuk u lejon hapësirë manovruese Kosovës dhe Serbisë për ta manipuluar procesin dhe rihapur çështjet e mbyllura.

Ky rekomandim i Weberit vjen për shkak se sipas tij deri tani palëve të përfshira në dialog u është lejuar t’i interpretojnë vetë marrëveshjet, duke bërë që shumë prej tyre të mos gjejnë zbatim në terren.

“Asnjë ambiguitet konstruktiv dhe destruktiv më nuk duhet lejuar”, ka thënë Weber në një intervistë për Kohën. Ai ka shtuar se është e domosdoshme që Serbisë t’i vihen afate të qarta për heqjen e Kosovës nga kushtetuta e saj si dhe integrimi në BE të kushtëzohet me njohjen e Kosovës.

Sa u përket vijave të kuqe, sipas Weberit, asnjë kompromis nuk duhet të bëhet për statusin e Kosovës.

“Nëse Serbia dëshiron të diskutojë diçka tjetër, jo njohjen e plotë të Kosovës, është Beogradi që duhet ta shpjegojë këtë, të përcaktojë sesi dëshiron të nxjerrë rezultate të ngjashme nga një marrëveshje përfundimtare pa njohje të plotë zyrtare”, ka theksuar Weber.

Ndërkaq Kosova, sipas tij, duhet të jetë e hapur për diskutime thelbësore rreth Asociacionit të komunave serbe, por jo për ta kthyer atë në një nivel të tretë të qeverisjes, “pasi kjo është rrugë që shpie drejt ndarjes etniko-territoriale”.

Me rinisjen e dialogut në Bruksel, Weber vlerëson së BE-ja përfundimisht e ka rikthyer dialogun në duart e veta. Por, sipas tij, mbështetja e SHBA-së është e mirëpritur dhe e nevojshme. Sa u përket temave, Weber sheh hapësirë manovruese për negociata rreth tyre brenda listës së gjatë të çështjeve të hapura bilaterale./Gazeta Sinjali/