The Washington Post, ka raportuar sot për rastin e futbollistit 17-vjeçar i cili me nënshtetësi serbe ka pranuar të luaj për Kosovën e grup moshave deri në 19-vjet.
Ilija Iviç, futbollisti me nënshtetësi serbe është përzgjedhur nga trajneri, Ramiz Krasniqi për të luajtur për grup moshat e reja të Kosovës. Por një vendim i tillë, i ka kushtuar shtrenjtë dy prindërve të futbollistit.
Komuna e Graçanicës në formë hakmarrje ka larguar nga puna dy prindërit e tij. Titulli i lajmit në “Washington Post”, thotë se prindërit e futbollistit serb, përjashtohen nga puna vetëm për shkak se ai iu bashkua Kosovës.
Lidhur me këtë rast ka reaguar Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës si dhe Ministria e Sportit. Kujtojmë se Iviç aktualisht luan për Flamurtarin./Gazeta Sinjali/