image Walker: Nuk ka prova kundër Thaçit dhe të tjerëve, të gjykohen gjeneralët dhe ministrat e Millosheviqit

Kosovë

Walker: Nuk ka prova kundër Thaçit dhe të tjerëve, të gjykohen gjeneralët dhe ministrat e Millosheviqit

news image

Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, thotë se nuk ka parë prova kundër Thaçit e të tjerëve.

Ishte dëshmitar i asaj që ndodhi në Reçak në janar të 1999-ës. Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, atëbotë i tregoi botës për krimet që serbët i kryen në Kosovë.

E 21 vjet më pas, në Hagë të Holandës nuk po gjykohen kriminelët serbë që i kryen krimet në Reçak e në shumë vende të tjera të Kosovës, por, ata që po dalin para drejtësisë tani janë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këtë arsye, Walker ka kritika ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar rreth asaj së kë ka akuzuar e kë jo.

“Unë kam qenë kritik ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar për disa kohë. Unë thashë që kishte një luftë të përgjakshme dhe një politikë gjenocidi në periudhën 1998-1999. Shumë njerëz nga Beogradi dhe qeveria e Sllobodan Millosheviqit bënë disa gjëra të tmerrshme këtu në Kosovë. Shumë njerëz u trajtuan brutalisht nga qeveria e Beogradit dhe shumë njerëz në atë qeveri janë përgjegjës për ato akte. Unë shpesh përmend se presidenti i Serbisë, z. Vuçiq, ishte anëtar i qeverisë së Sllobodan Millosheviqit dhe jam i sigurt se ai ishte në dijeni të asaj që po ndodhte në Kosovë”, tha ai për T7, përcjell Gazeta Sinjali.

Ish-diplomati amerikan i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të krijojë një gjykatë e cila heton gjeneralët dhe ministrat e qeverisë së Sllobodan Millosheviqit.

Madje mban në mend edhe faktin që Vuciq, i kishte quajtur trillime deklaratat e ish ambasadorit të OSBE-së, për masakrën e Recakut

“Unë e di se ai ka pohuar se përshkrimi im për atë që ndodhi në Reçak ishte i rremë, kështu që unë shoh si jo të mirë faktin që ai ose ndonjë nga gjeneralët apo ministrat e qeverisë së Sllobodan Millosheviqit nuk janë përballur me Zyrë të Prokurorit të Specializuar, nuk janë akuzuar dhe çuar në Hagë. Por unë konstatoj se duhet të ketë një gjykatë që heton krime lufte, krime të rënda lufte, krime masive të luftës të kryera nga qeveria e Sllobodan Millosheviqit, ata që janë përgjegjës nën komandën e Millosheviqit. Dhe deri më tani nuk e kam parë atë. Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të krijojë një Zyrë të Prokurorit të Specializuar më të ekuilibruar.”

Ndërkohë sa i përket Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, William Walker thotë se nuk ka parë asnjë provë që i implikon këta me krime lufte.

“Unë i njoh të gjithë njerëzit që u dërguan në Hagë, nga presidenti te Kadri Veseli e Jakup Krasniqi. Unë nuk kam parë asnjë lloj prove nga gjykata. Ata kanë për detyrë të bëjnë atë, që është të paraqesin prova për të parë nëse mund të provojnë fajin në këto rrethana. Unë nuk kam asnjë koment se cili mund të jetë rezultati, pasi nuk kam parë provat ose nuk kam dëgjuar argumentet.”

William Walker erdhi për herë të fundit në Kosovë në janar të këtij viti dhe vizitoi Reçakun në 21 vjetorin e masakrës./Gazeta Sinjali/