Lëvizja Vetëvendosje ka uruar popullin amerikan për zgjedhjen e presidentit të ri, Joe Biden dhe zëvendëspresidentes, Kamala Harris.
Përmes një komunikate, VV shkruan se kanë dëshiruar vërtet fitoren e tij pasi sipas tyre, Joe Biden është një politikan me përvojë të angazhimit në Ballkan, ku vazhdimisht ka mbajtur qëndrime të drejta në raport me agresionet e agresorët, por edhe në ndihmë të viktimave e të lirisë së tyre.
Por, gjithashtu VV ka lëshuar disa akuza ndaj Richard Grenell, i cili ishte i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se ai pati si synim zhbërjen e trashëgimisë demokratizuese e lirisjellëse të presidentëve Clinton e Bush në Ballkan
“Ndryshimi në SHBA duhet të reflektohet edhe me ndryshim në Kosovë, ku tash disa muaj kemi një qeveri të paaftë dhe jolegjitime. Kjo qeveri u ndërtua me detyrën e vetme: dobësimin ndërkombëtar të Kosovës, dhe servilizmin ndaj emisarit të presidentit Trump, Richard Grenell, i cili pati si synim zhbërjen e trashëgimisë demokratizuese e lirisjellëse të presidentëve Clinton e Bush në Ballkan”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Sinjali/