Ish-deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se kjo parti e ka programin dhe kandidatin e duhur që e kthen shpresën, besimin dhe zhvillimin në vend.
Duke nënkuptuar se është kundër që t’ia lë LDK-së postin e kryeministrit, Haxhiu ka përmendur frazën e njohur se të gjitha partitë politike kanë qeverisur me vendin.
“Të gjitha subjektet politike, kanë pasur rastin të qeverisin me vendin. Ne jemi dëshmitarë të mendësisë së mbrapsht të qeverisjes prandaj qytetarët asnjëherë më shumë nuk kanë qenë entuziastë dhe po e presin me padurim fitoren e Lëvizjes, e që do të jetë fitore e popullit dhe Republikës”, ka shkruar Haxhiu.
“Kosova asnjëherë si ka pasur punët më keq, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka edhe programin por edhe kandidatin e duhur që e kthen shpresën, besimin e zhvillimin”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk ka qenë më e fuqishme dhe më e organizuar sesa tash.
“Lëvizja VETËVENDOSJE!, asnjëherë nuk ka qenë më e fuqishme dhe më e organizuar se tani. Janë dashur vite angazhim, punë e mobilizim për të arritur deri këtu”, ka shkruar ajo. /Sinjali