image VV sulmon PDK-në për takimin Thaçi-Putin në 2018: Ne s’takohemi me kriminelë lufte, të kërkojnë falje

Politikë

VV sulmon PDK-në për takimin Thaçi-Putin në 2018: Ne s’takohemi me kriminelë lufte, të kërkojnë falje

news image

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka komentuar deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se politika e jashtme është pothuajse joekzistente.

Muja ka thënë se është koha që Krasniqi dhe partia e tij të kërkojnë falje për takimin që pati ish-presidenti, Hashim Thaçi, me presidentin rus, Vladimir Putin, në vitin 2018 në Paris, raporton Gazeta Sinjali.

Deputeti i VV-së tha se qeveritarët aktualë nuk do të takohen asnjëherë me “kriminelë të luftë” dhe me ata që gjithmonë “ia kanë dashur të keqen Kosovës”.

 “Kurti është takuar me kryeministrin britanik Johnson javët e fundit, është takuar edhe me presidentin Macron dhe nuk e di edhe me cilat figura të tjera botërore nuk janë takuar, përjashtimisht që s’e kemi takuar Putinin, siç e kanë pasë shprehi në të kaluarën PDK-ja. Nuk e takojmë ne. S’takohemi me kriminelë lufte. Krasniqi dhe PDK të kërkojnë falje për takimet që i kanë pasë me Putinin dhe Lavrovin, dy kriminelë lufte, të cilët sot bëjnë tmerr në Ukrainë. Ne e kemi nënvizuar që herët se e kuptojmë, mirëpo orientimi i Kosovës strategjik është perëndimor dhe janë organizatat euroatlantike”, tha ai.

Muja në T7 tha se s’ka një kohë më të mirë sesa tash që PDK të kërkojë falje për këtë takim. 

Deputeti i Vetëvendosjes thotë se Kosova asnjëherë më mirë s’ka qenë sa i përket diplomacisë dhe se vizita më të mëdha e më me peshë, sipas tij, s’ka pasë thuajse në pesë vjetët e fundit. 

Kujtojmë se ish-presidenti Thaçi kishte takuar ish-homolgun e tij rus, Vladimir Putin, në vitin 2018 në shënimin e  100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

/GazetaSinjali/