image VV-ja kërkon që Hoti e Zemaj të raportojnë para deputetëve për menaxhimin e pandemisë

Shëndetësi

VV-ja kërkon që Hoti e Zemaj të raportojnë para deputetëve për menaxhimin e pandemisë

news image

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar kërkesë në kryesi të Kuvendit të Kosovës që kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, të raportojë para deputetëve lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

VV-ja njofton se kjo kërkesë e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, është miratuar nga kryeparlamentarja, Vjosa Osmani.

“Nisur nga gjendja e rëndë e krijuar për shkak të menaxhimit katastrofal me Pandeminë COVID-19, pas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci, të miratuar në kryesi të Kuvendit, kryetarja Vjosa Osmani ka dërguar kërkesën që pa humbur kohë Avdullah Hoti duhet të vije për raportim në Kuvendin e Kosovës në lidhje me menaxhimin e pandemisë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Po ashtu, LVV njofton se deputetët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi kanë kërkuar zyrtarisht nga komisioni që Armend Zemaj të raportojë në këtë komision, njëjtë dhe Drejtuesit e SHSKUK-së.

Kjo parti vlerëson se situata është alarmante, kurse ata që e kanë përgjegjësi menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e shëndetit publik, sipas VV-së, janë përhumbur në paaftësinë e tyte në tezat për imunizim kolektiv natyrore.

“Në kohën kur qytetarët po përballën me një rrezik të tillë, klinikat e stërmbushura e me kapacitete të kufizuara e rëndojnë edhe më shumë gjendjen. Në anën tjetër, ata që e kanë përgjegjësi menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e shëndetit publik janë përhumbur në paaftësinë e tyre e në tezat për imunizim kolektiv natyror”, thuhet tutje në njoftimin e VV-së.

Nga kjo parti thonë se qytetarët janë braktisur në ditët më vështira nga ata që e kanë detyrë për t’u dalur në ndihmë e në mbrojtje.

“Ecja e kësaj Qeverie pa strategji e plan, po i kushton qytetarëve me humbje jetësh. Prandaj edhe kemi kërkuar raportim para deputetëve e Kuvendit me qëllim të kthimit të vëmendjes kah shëndeti i qytetarëve”, përfundon njoftimi./Gazeta Sinjali/