Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e veprimit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për siç thonë ata, “nxitjen, bindjen dhe detyrimin” e deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë Hoti, shkruan Gazeta Sinjali.
Vetëvendosje po vlerëson se me këtë rast presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
“Jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Ai në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar që deputeti Shala të ndërroi qëndrimin dhe votën në seancën e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit të Republikës të datës 3 qershor”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Sipas kësaj partie, është e tepërt të thuhet më se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i lejon presidentit rol aktiv në skenën politike, pasi që sipas tyre, kjo që ka bërë Thaçi nuk është vetëm angazhim politik, por edhe “ndërhyrje e rëndë në rendin kushtetues”, por thonë se kjo nuk është hera e parë./Gazeta Sinjali/