Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi sot në Kuvendin e Kosovës nismën ligjore për peticioni.
Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të kësaj partie në Facebook.
Vetëvendosje vlerëson se vullneti kolektiv dhe kërkesat e qytetarëve të shprehura përmes peticionit janë një e drejtë politike dhe kushtetuese që, sipas saj, i japin kuptim demokracisë dhe e mbrojnë atë nga “shpërdoruesit” dhe “mohuesit” e saj.
Në njoftimin e kësaj partie thonë se ky projektligj përcakton për herë të parë rolin dhe rëndësinë e peticoneve.
“Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje është element esencial për demokracitë kudo dhe sidomos në Kosovë. Projektligji i proceduar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje përcakton ligjërisht për herë të parë në Kosovë rolin dhe rëndësinë e peticioneve, mënyrën, përmbajtjen dhe efektet e tyre”.
Sipas VV-së kjo nismë ligjore është e domodoshme në këtë kohë, kur është “zhvleftësuar” vullneti i shprehur në zgjedhje dhe kur është “përkeqësuar” demokracia.
“Një ligj i tillë i ka munguar Kosovës kaherë. Në një kohë kur vullneti i shprehur edhe përmes zgjedhjeve zhvleftësohet, kur demokracia përkeqësohet, kur hendeku midis institucioneve dhe qytetarëve thellohet, bëhet edhe më i domosdoshëm krijimi i mundësive ligjore për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre dhe që të bëhen pjesë e marrjes së vendimeve në jetën politike e institucionale”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Kujtojmë që kjo parti më 30 maj publikoi peticionin e saj “Duam Zgjedhje” me anë të të cilit kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme paralamentare.
Ndonëse nga kjo parti thonë se janë mbledhur mbi 150 mijë nënshkrime, Gazeta Sinjali pati raportuar për manipulimet që mund të bëhen gjatë mbledhjes së nënshkrimeve përmes këtij peticioni./Gazeta Sinjali/