Sot janë bërë katër vjet që nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Për këtë arsyeje, VV ka mbajtur një konferencë për media, shkruan Gazeta Sinjali.
Anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Albulena Haxhiu tha se vrasja e Astritit ka qenë krimi më i rëndë që ka ndodhur në vend.
“Vrasja e Astritit ka qenë krimi më i rëndë që ka mundur të ndodhte në Kosovë. Një qytetari e aktivisti politik i ishte mveshur një vepër e rëndë, sikurse edhe aktivistëve të tjerë, por Astriti nuk doli i gjallë nga burgu…Edhe pse kanë kaluar katër vite, ende nuk ka drejtësi për Astritin. Prej momentit kur është publikuar raporti i institutit zviceran ne kemi kërkuar që rasti të transferohet në Prokurorinë Speciale, të trajtonte e hetonte në detaje rastin Dehari, pa ndikime. Katër vite pas vrasjes dhe një vit nga koha kur rasti ka kaluar në Prokurorinë Speciale ende mungon drejtësia për Astrit Deharin…Bëjmë thirrje për trajtim të duhur e të pandikuar të rastit Dehari”, tha Haxhiu.
Ndërsa, ish u.d. i ministrisë së brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Astriti është vrarë në qelinë ku ai po qëndronte në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
“E gjithë e vërteta do të zbulohet, urdhërbartësit e urdhërdhënësit duhet të vihen para drejtësisë”, përfundoi Sveçla. /Gazeta Sinjali/