Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në kërcënime serioze, raporton Gazeta Sinjali.
Me një kërcënim të tillë është përballur një burrë në fshatin Sfaraqak i Poshtëm në komunën e Vushtrrisë. Sinjali mëson se i dyshuar për rastin është një fqinj i tij.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 10:30 në një nga rrugët e fshatit, ku viktima teksa po ngiste motoçikletën, përpara i ka dalë fqinji i tij i cili e ka kërcënuar me jetë.
Bazuar në dëshminë e 44-vjeçarit, fqinji i tij dyshohet t’i ketë thënë se do ia thyejë dhëmbët dhe do e mbysë krejt. E derisa e kërcënonte, ai mbante dhe disa gurë në duar.
Përballë kësaj situate, viktima është detyruar që rastin ta denoncojë në Polici, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
I dyshuari ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve, ku ka mohuar të ketë kërcënuar fqinjin e tij, për të cilin thotë se vetëm e qortoi për shkak se po bënte zhurmë me motoçikletë.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’.