image Vullkani Taal në Filipine fillon të aktivizohet

Botë

Botë/ Vullkani Taal në Filipine fillon të aktivizohet

news image

Autoritetet filipinase kanë njoftuar se vullkani Taal ka filluar të nxjerrë lavë. Ky vullkan ndodhet vetëm 70 kilometra në jug të kryeqytetit të Filipineve, Manila.

Vullkani filloi të nxjerrë lavë të zjarrtë në orët e para të së hënës, ndërsa fillimisht kishte krijuar re të dendura hiri, duke bërë që organet shtetërore t’i evakuojnë 8 mijë persona për shkaqe sigurie. Ky është vullkani i dytë më aktiv në Filipine.

I ndodhur në një ishull që shtrihet në mesin e një liqeni, ky vullkan është njëri prej më të vegjëlve në botë. Në 450 vjetët e fundit, ai ka shpërthyer së paku 34 herë.

“Vullkani Taal ka hyrë në një periudhë intensive të aktivitetit që e arriti kulmin me rrjedhje të lavës nga ora 2 e 49 deri në orën 4 e 28 të mëngjesit”, thuhet në deklaratën e Institutit për Vullkanologji dhe Sizmologji.

Autoritetet e kanë ngritur nivelin e alarmit nga 3 në 4 nga pesë nivele të mundshme dhe kanë paralajmëruar për një cunami vullkanik.

Qeveria ua ka tërhequr vërejtjen shitoreve me pakicë që të mos i rrisin çmimet e maskave në kohën kur kërkesa për to është shtuar shumë, shkruan “BBC”./Gazeta Sinjali/