Të paktën 2 persona mbeten pa u gjetur në zonat afër vullkanit që vrau të hënën 14 turistë në Zelandën e Re. Trupat e 6 viktimave u larguan një ditë më parë nga vendngjarja mes rrezikut të vullkanit aktiv.
Policia e Zelandës së Re vazhdon kërkimet për trupat e 2 viktimave që humbën jetën këtë javë bashkë me 14 persona pas shpërthimit të vullkanit.
Ekipet e zhytësve i fokusuan të shtunën operacionet në brigjet e ishullit vullkanik të Uajt-Ajlëndit, ku mendohet se u hodhën në momentin e rrezikut.
“Besojmë se të paktën njëri prej prej tyre është brenda në ujë. Për personin tjetër nuk jemi të sigurt, por dy mundësi ka: është në ishull dhe nuk e kemi gjetur dot, ose të dy janë në ujërat përreth,” deklaroi shefi i policisë zelandeze, Majk Bush.
Një ditë më parë, forcat e xhenios të pajisur me veshje speciale arritën me sukses të largojnë 6 trupa nga zonat afër kraterit dhe bregdetit.
Personat të hënën ishin duke vizituar ishullin e famshëm turistik kur nga nëntoka u çliruan papritur gaze të nxehta vullkanike që dogjën edhe 8 të tjerë.
Mbi 20 të tjerë po trajtohen me djegie serioze dhe po i nënshtrohen kirurgjisë plastike.
Zelanda e Re ka 12 vullkane të shtrirë përgjatë pllakave tektonike të Australisë dhe Paqësorit, nga të cilët ai i Uajt-Ajlëndit është aktualisht më aktivi. /Gazeta Sinjali/