image Vulin reagon ndaj kritikave të SHBA-së dhe BE-së për Reçakun

Rajon

Vulin reagon ndaj kritikave të SHBA-së dhe BE-së për Reçakun

news image

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin ka reaguar më 11 dhjetor ndaj kritikave të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së lidhur me deklaratat e tij për masakrën e Reçakut në Kosovë.

Vulin tha se “asgjë nuk mund të bëhet që e vërteta për Reçakun të mos bëhet e dukshme dhe e dëshmuar”.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja më 10 dhjetor dënuan mohimin e masakrës ndaj popullatës civile shqiptare në Reçak në vitin 1999, duke thënë se ky krim është ‘i dëshmuar’.

Forcat policore e ushtarake serbë në Kosovë, vranë më 15 janar 1999, 45 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte gra e fëmijë.

Kjo masakër paraqiti momentin kryesor në vendimin e NATO-s që të nisë intervenimin ajror ushtarak ndaj asokohe, Republikës Federale Serbe (SRJ), për shkak të luftës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja reaguan ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, Vulin i cili përshkroi më 10 dhjetor masakrën në Reçak si “gënjeshtër të madhe dhe fabrikim të jashtëzakonshëm“.

Të mëdhenjtë po zemërohen me serbët të cilët nuk frikësohen të thonë të vërtetën, sidomos të vërtetën e cila tregon se sa të mëdhenjtë ishin të vegjël para popullit tonë. Filmat nga Kosharja, Pashtriku, Reçaku i xhiruam që zemërimi i fuqive të mëdha dhe frika e disa serbëve të mos e vrasin të vërtetën”, tha Vulin shkruan në njoftimin e Ministrisë së Brendshme serbe më 11 dhjetor.

Vulin përmendi që është krenar, siç tha, që “është pjesë e luftës për të vërtetën”.

Jam i gatshëm që për këtë të paguaj çmimin edhe politik edhe personal. Koka ime është çmim i vogël për të drejtën e serbëve që për shkak të gënjeshtrave të të tjerëve të mos turpërohen para fëmijëve të vet”, tha Vulin.

Sipas tij asgjë s’mund të bëhet që e vërteta për Reçakun të mos bëhet e dukshme dhe e dëshmuar.

“Kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti flet për krijimin e Shqipërisë së Madhe, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja heshtin. Kur gjykatat lirojnë kriminelët e dëshmuar të luftës, Oriqin, (ish-komandantin e Bosnje e Hercegovinës, Naser Oriq), Gotovinën (gjenerali kroat, Ante Gotovina), Ramush Haradinajn (ish-kryeministër i Kosovës), Bashkimin Evropian dhe SHBA-ja heshtin, e kur Prishtina refuzon të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja heshtin. Kur unë e them të vërtetën për Reçakun, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja deklarohen”, vlerësoi Vulin, shkruan REL.

Kjo nuk është hera e parë që Vulin e mohon masakrën e Reçakut. Autoritetet në Serbi, që udhëhiqen nga presidenti Aleksandar Vuçiq, këtë masakër e kanë cilësuar si “krim të fabrikuar”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë, së fundmi janë duke bashkëprodhuar një serial me gjashtë episode, të quajtur “Dosja e Kosovës”, i cili, siç është paralajmëruar, trajton “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe policisë në Kosovë” nga viti 1998 deri më 2001.

/GazetaSinjali/