Ministri i Brendshëm në Serbi, Aleksandar Vulin ka reaguar ndaj deklaratave të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinajt, që tha se presidenti Vuçiq dhe bashkëpuntorët e tij nuk mund ta vizitojnë Kosovën, pa kërkuar falje për krimet e kryera, shkruan Gazeta Sinjali.
Vulin tha se Haradinaj-Stublla duhet të tregojë fillimisht rolin e ish-presidentit Thaçi për vrasjet që pretendon se u kryen ndaj serbëve dhe që tashmë është konfirmuar aktakuza kundër tij.
“Para se të thotë emrin e Aleksandar Vuçiq, Haradinaj Stublla së pari duhet të thotë cili është roli i Hashim Thaçi në vrasjen e serbëve dhe shitjen e organeve të tyre në Shtëpinë e Verdhë”, tha ai.
Po ashtu, ai tha se ministrja e MPJD-së duhet t’i thotë emrat e fëmijëve serbë që janë ekzekutuar dhe tha se vendet që u përpoqën ta ndihmonin një Kosovë të pavarur, u desh të formonin një Gjykatë Speciale.
“Para se Haradinaj Stublla të kërkojë që Serbia të kërkojë falje, le të thotë së pari në gjunjë emrat e fëmijëve të ekzekutuar serbë në Gorazdevc dhe dy vjeçarin e vrarë Danilo Cokić. Politikanët në Prishtinë duhet të ndalojnë të gënjejnë veten dhe të tjerët se bashkatdhetarët e tyre ishin viktimat e vetme dhe të pafajshme në luftën në Kosovë. UÇK-ja bëri aq shumë krime saqë edhe vendet që u përpoqën të bënin një Kosovë të pavarur me bomba u desh të formonin një Gjykatë Speciale vetëm për ta”, ka deklaruar Vulin për Kosova Online./Gazeta Sinjali/