Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti si njeri të rrezikshëm, pasi gjatë takimit që është mbajtur në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Kurti kishte refuzuar diskutimin rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, transmeton Gazeta Sinjali.
Vuçiq në raportimin e tij në Kuvendin e Serbisë u ka thënë deputetëve se kryeministri i Kosovës kishte propozuar diç tjetër që do zëvendësonte Asociacionin, i cili është i ngjashëm me atë se çfarë kanë pakicat në Serbi.
Presidenti serb ka deklaruar se propozimet e palës kosovare për themelimin e një Këshilli Nacional për pakicat serbe në Kosovë ishte propozim i papranueshëm.
“Ai tha që ne kemi ardhur me propozime konstruktive në këtë dialog dhe ju mund të paramendoni se me çfarë njerëz të rrezikshëm kemi punë ne. E kuptoni aty se nuk jeni të sigurt se çfarë mund t’u ndodh në Kosovë fëmijëve serbë.”
“Ai tha që Serbia ka Këshill Nacional për Pakicat dhe ne po ju japim edhe një Këshill Nacional për serbët në Kosovë dhe kjo përfundon dhe e nënshkruajmë marrëveshjen për njohje.”
“Këta njerëz nuk po e kuptojnë dhe Borrell i tha se nuk mund të flasësh për të drejtat e pakicave të një shteti sovran, siç është Serbia dhe ai iu kundërpërgjigj edhe ne jemi shtet. Kurse unë i thash që nuk je shtet, sepse po të ishe shtet nuk do të ishe sot në Bruksel”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/