Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, thotë se dialogu Kosovë-Serbi është pothuajse inekzistent.
Madje, Vuçiq deklaroi se “zotërinjtë nga Prishtina nuk ishin të interesuar për rinisje të dialogut në Berlin”.
Presidenti serb pretendon se pala kosovare ka refuzuar edhe të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët për takimet në kryeqendrën gjermane ku u ftuan nga kancelari Olaf Scholz.
“Pothuajse ky dialog nuk ekziston. Kishim tentim që ky dialog të nisë në Berlin, por zotërinjtë nga Prishtina nuk e kanë dashur këtë dialog. Në Berlin kanë dashur të bëjnë një deklaratë të përbashkët, por nuk pranuan që të ishte shkruar Prishtinë-Beograd“.
“Thanë se nuk mund të shkruhet se Vuçiq mund të pajtohet me paqen dhe se unë jam një ‘Putin i vogël’ dhe unë ju thashë se mund të shkruani çfarë të doni – prapë nuk pranuan. Ne ishim afër seriozisht, por zotërinjtë nga Prishtina nuk duan dialog. Në marrëzi ata refuzuan gjithçka”, ka deklaruar ai në adresimin e tij para popullit serb.