Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar se nuk do të pranojë propozimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për largimin e Veljko Odaloviqit nga komisioni qeveritar serb për të pagjeturit, transmeton Gazeta Sinjali.
Presidenti serb ka deklaruar se askush nuk mund të ndërhyj në punët e një shteti sovran dhe se do i refuzonte kërkesat e tilla edhe nëse parashtrohen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kërkojnë ta bëjmë atë, ne, si një shtet sovran, i pavarur dhe i përgjegjshëm, nuk duhet ta pranojmë atë, dhe nuk e pyesim Prishtinën për këtë, për shumë arsye. Pra, edhe me ato mesazhe poshtërimi në të cilat dikush do të na mësojë demokracinë dhe do të na japë predikime dhe ligjërata se kush duhet të jemi në cilin vend, atëherë asnjë prej tyre nuk duhet të jetë në asnjë nga vendet e tyre”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për mediumin Euronews Serbia.
Ai ka thënë se është i interesuar që me palën kosovare të dakordohen për gjurmimin e njerëzve të zhdukur.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës në raundin dialogues që është mbajtur në Bruksel, ka kërkuar largimin e Odaloviqit, ngase ai ka qenë pjesë e regjimit të Serbisë. /GazetaSinjali/