image Vuçiq kërkon heqjen e plotë të taksës, thotë se deri atëherë nuk ka diskutime për çështje thelbësore

Politikë

Vuçiq kërkon heqjen e plotë të taksës, thotë se deri atëherë nuk ka diskutime për çështje thelbësore

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjatë ditës së sotme është takuar me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer dhe me të dërguarin e presidentit Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Pas takimit, Vuçiq ka theksuar rëndësinë e heqjes së tarifës prej 100 për qind për mallrat serbe dhe ka treguar se nëse hiqet taksa, me Kosovën mund të diskutohen çështje të rëndësishme dhe thelbësore.

Tutje, presidenti serb tha se dialogu me Kosovën mund të vazhdojë vetëm pas largimit të plotë të masës 100% të vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.

 “Ata mendojnë se është e rëndësishme që të hiqet tarifa në mënyrë që të mund të diskutojmë çështje të rëndësishme, thelbësore. Nuk është problem për mua të takoj Thaçin dhe Kurtin në ndonjë panel, por nuk do të ketë diskutime për çështje thelbësore dhe për statusin derisa të hiqen tarifat”, deklaroi Vuçiq, i cili theksoi se këto fjalë ia ka thënë edhe Palmerit.

Mediat serbe kanë raportuar për një takim të mundshëm për nesër në Uashington mes tij dhe presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Vuçiq lidhur me këtë ka thënë se nuk e di nëse mund të ketë një takim të tillë.

“Unë nuk kam asgjë kundër takimit, por unë jam duke pritur për rezultatin e tarifës. Nëse do të takohemi diku nuk e kam problem, por nuk do të ketë negociata të vërteta për ndonjë çështje statusi”, theksoi Vuçiq, duke kujtuar se ai gjithashtu u takua me Thaçin dhe Kurtin në Munih.

Kujtojmë se edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet për vizitë në Uashington, ku është takuar me sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, si dhe ka vizituar selinë e Vatrës, shoqatës më të vjetër shqiptare, ku u prit nga kryetari i ri i saj, Elmi Berisha dhe nga anëtarët e kësaj shoqate./GazetaSinjali/