image Vuçiq: Është e rëndësishme të kryhet hetim pas sanksioneve amerikane kundër Vulinit

Politikë

Vuçiq: Është e rëndësishme të kryhet hetim pas sanksioneve amerikane kundër Vulinit

news image

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim” ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Aleksandar Vulin, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione kundër tij.

“Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë. Por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim”, tha Vuçiq, në reagimin e tij të parë pasi SHBA vendosi sanksione ndaj Vulinit.

Një ditë më parë Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit tha se Vulini është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Vuçiq nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse Vulini duhet të shkarkohet pas vendosjes së sanksioneve amerikane.

Ai tha se për sanksionet ndaj Vulinit dhe qëndrimin e Serbisë do të flasë “nesër, në detaje”.

“Vulin, ndaj tij nuk janë vendosur sanksione për ndonjë krim, korrupsion, asgjë; ndaj tij janë vendosur sanksione për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse”, tha Vuçiq.

Një pjesë e opozitës në Serbi kërkoi shkarkimin e Vulin pas sanksioneve amerikane.

Vulin, presidenti i Partisë Socialiste, e cila është një partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet, u vendos në krye të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në dhjetor të vitit 2022.

Drejtorin e Agjencisë e emëron dhe e shkarkon Qeveria.

Ish-bashkëpunëtor i Mirjana Markoviqit, gruas së Slobodan Milosheviqit, ai është sot partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Më 10 maj, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, ku shpreh shqetësimin për emërimin e Vulin në krye të BIA-s, i cili në tekstin e rezolutës përshkruhet si një person “i njohur për retorikën e tij kundër BE-së dhe pro-Kremlinit”.

Vulin është i njohur për publikun e gjerë, për retorikën e tij të ashpër ndaj fqinjëve të tij në rajon dhe miqësinë e tij ndaj Rusisë.

Në një nga kritikat e fundit kundër tij, ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, si dhe BE-ja, kritikuan pjesëmarrjen e Vulinit në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, në maj të këtij viti.

/GazetaSinjali/