Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka shtruar hipoteza për dezinfektimin e para dy ditëve në zyrën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.
Vuçiq e ka parë jo pa shkas vendimin e Thaçit për dezinfektimin e zyrës së tij, pasi aty e priti të marten emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, transmeton Gazeta Sinjali.
Në një intervistë të gjatë për “Novosti”, Vuçiq ka thënë se Thaçi dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk kanë qasje të njëjtë për dialogun.
“Ne duhet të shohim se cila do të jetë qasja e palës shqiptare. Ju e keni Hotin që bisedon me gjermanët dhe u thotë se unë do t’i udhëheq negociatat në BE, dhe e keni Thaçin që thotë se nuk është i interesuar për BE-në dhe urdhëron dezinfektimin e zyrave pas largimit të Lajçakut, duke i dërguar kështu një mesazh Shtëpisë së Bardhë se është i interesuar vetëm për Amerikën”, tha Vuçiq.
Ai u shpreh se ideja e Bashkimit Evropian është që t’i thonë Serbisë që të mos e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, por në këmbim të kësaj, Vuçiq tha se BE nuk di çfarë t’i ofrojë Serbisë. /Gazeta Sinjali/