Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai dhe serbët duhet të vetëpërmbahen pas aktakuzës së Prokurorit Speciall në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Kjo delkaratë duket befasuese, pasi kur Dick Marty deklronte publikisht akuza të rënda ndaj liderëve politikë në Kosovë, Vuçiq nuk përmbahej shumë nga komentimi.
Në një konferencë për media para ambasadës së Serbisë në Bruksel, ku sot e dje zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të BE-së, Vuçiq tha se këtë po e bën për siç tha “mbrojtur serbët që janë në Kosovë”.
“Për ne më së miri është të mbetemi të rezervuar. Ne e dimë çfarë krimesh janë bërë. Mirë është që edhe për ta të ketë drejtësi. Mirëpo me këtë përmbajtje ne mbrojmë serbët në Kosovë. Lehtë e kemi ne në Beograd, por vështirë ata në Shtërpcë dhe në vende tjera”, tha Vuçiq, përcjell B92.net.
Vuçiq po ashtu pret që së shpejti të rinisë dialogu. Një takim Kosovë – Serbi ishte paraparë për 27 qershor në Washington, por u anulua pas ngritjes së aktakuzës ndaj Thaçit dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
“Së shpejti presim të vazhdojë dialogu, para tij është Samiti në Francë. Qëllimi është se si Serbia të përshpejtojë rrugën e saj evropiane dhe të marrë garancinë nga BE-ja se nëse plotëson kushtet, të marrë edhe dritën jeshile”, shtoi ai.
Presidenti serb shpreson që deri më 2026, vendi i tij të bëhet anëtar i BE-së.
“Jam i bindur se me optimizëm po futemi në një fazë të re të marrëdhënieve me BE-në. Besoj se deri në fund të mandatit të ardhshëm të Qeverisë të mbyllim bisedimet për anëtarësim, që i bie se do të ishte reale që deri më 2026 të bëhemi shtet anëtar i BE-së”, shtoi Vuçiq. /Gazeta Sinjali