Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot ambasadorët e vendeve të Quintit në OSBE si dhe me përfaqësuesit më të lartë diplomatikë të këtyre vendeve në Beograd, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi.
Siç është njoftuar në komunikatën për media, Vuçiq ka ripërsëritur edhe një herë kërkesën për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në të kundërtën Vuçiq ka thënë se nuk ka kuptim pjesëmarrja në dialogun Kosovë-Serbi.
Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Vjenë tashmë kanë vizituar Kosovën në kuadër të një turi rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Grupi përbëhet nga ambasadorja Christine Fages (Francë), ambasadorja Gesa Braeutigam (Gjermani), ambasadori Stefano Baldi (Itali), ambasadori Neil Bush (Britania e Madhe) dhe ambasadori Michael Carpenter (Shtetet e Bashkuara të Amerikës).