Katër persona janë vrarë dhe një është plagosur pas të shtënave me armë në një lagje në Grantsville, në Utah të Shteteve të Bashkuara, të premten në mbrëmje. Policia e ka arrestuar sulmuesin e dyshuar.
Zyrtarja policore, Rhonda Fields, tha para gazetarëve se sulmi ndodhi rreth orës 19 sipas kohës lokale, ndërsa identiteti i viktimave dhe sulmuesit nuk është publikuar nga policia.
Ajo tha se në mesin e viktimave janë dy vajza të reja, një djalë i ri dhe një grua.
“Ende nuk janë konfirmuar identitetet e viktimave, por besohet se ata kanë lidhje familjare mes vete”, shtoi Fields.
Ende nuk dihet motivi i sulmit që ndodhi në qytezën me 9 mijë banorë.
Policia tha se nuk dihet raporti që kanë pasur viktimat me sulmuesin, duke shtuar se sulmuesi është dërguar në paraburgim, shkruan “NBC News”./Gazeta Sinjali/