Brenda një jave Kosova u trondit nga dy krime monstruoze. Dy gra u privuan nga jeta në mënyrë makabre nga personat të cilët kishin zgjedhur të kalojnë jetën me ta, raporton Gazeta Sinjali.
Të premten e 25 nëntorit, mësimdhënësja e shkollës fillore së mesme të ulët ‘Dardania’ në kryeqytet, Sadije Godeni, 63-vjeçare, dyshohet se u vra mizorisht derisa ishte në gjumë nga bashkëshorti i saj, Izet Godeni. Godeni dyshohet se me anë të goditjeve me një sëpatë, i ka marrë jetën bashkëshortes së tij dhe për aktin monstruoz që kreu, njoftoi vetë Policinë.
Ndaj Godenit, Gjykata Themelore ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.
Ndërsa mbrëmë, i gjithë vendi kaloi në shok nga rasti i tmerrshëm që ndodhi në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gruaja shtatzënë e cila ishte shtrirë në këtë Klinikë, Hamide Magashi, 35-vjeçare, dyshohet se u vra me dy plumba nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, me të cilin ishin në proces të ndarjes.
Magashi ishte në javën e fundit të pritjes së ëmbël e cila u kthye në tragjedi. Burri me të cilin ishte në proces divorci ia mori jetën gruas dhe fëmijës dhe më pas iku me veturën e tij Opel Astra me targa 05-450-BC.
Policia e ka shpallur në kërkim të dyshuarin dhe e ka konfirmuar rastin tragjik.
Gruaja që u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së ishte nën trajtim të autoriteteve pasi në këtë rast ishte lëshuar një urdhër për mbrojtje. Ajo në korrik të këtij viti kishte raportuar në Polici një rast të dhunës në familje, ku personi për të cilin kishte raportuar ishte pikërisht ish-bashkëshorti i saj.
Lidhur me këto raste tragjike ka pasur reagime të shumta, teksa sot në Prishtinë do të protestohet kundër vrasjes së grave.
Kjo protestë organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe YIHR me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Ngjarja pritet të fillojë nga ora 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.